Gjatë fundjavës, strukturat e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Vlorë dhe Sarandë intensifikuan kontrollet në të gjitha akset rrugore, duke u fokusuar në përmirësimin e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve. Këto masa vijnë si pjesë e një plani më të gjerë për të reduktuar aksidentet dhe për të rritur përgjegjshmërinë e drejtuesve të mjeteve.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, u arrestuan 7 drejtues mjetesh, ndërsa dy të mitur u proceduan penalisht për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit ose pa leje drejtimi. Këto veprime janë një paralajmërim për ata që shkelin rregullat e qarkullimit, duke përfshirë ata që drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit, pa leje drejtimi, ose që nuk respektojnë rregullat e sigurisë.

Gjatë periudhës janar-nëntor 2025, në qarkun e Vlorës janë arrestuar dhe proceduar penalisht gjithsej 493 persona, nga të cilët 376 për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe 117 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia ka vijuar kontrollin intensiv 24 orë në 7, me fokus të veçantë në akset urbane dhe zonat me qarkullim të lartë, si dhe ka realizuar testime për alkoolin, kontroll të dokumentacionit, përdorimin e celularit gjatë drejtimit dhe përdorimin e pajisjeve të sigurisë si kaska dhe rripi i sigurimit. Kontrolli i vazhdueshëm dhe masat e rrepta për të parandaluar shkeljet e rregullave të qarkullimit janë një përpjekje për të rritur sigurinë dhe reduktuar aksidentet në rrugë.

Të arrestuarit gjatë fundjavës:

K. K., 44 vjeç – drejtim në gjendje të dehur

A. S., 44 vjeç – drejtim në gjendje të dehur

Xh. J., 25 vjeç – drejtim në gjendje të dehur

A. Sh., 43 vjeç – drejtim në gjendje të dehur

A. S., 37 vjeç – drejtim ciklomotor elektrik në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi

L. E., 30 vjeç, shtetas finlandez – drejtim në gjendje të dehur

O. A., 43 vjeç, shtetas turk – drejtim në gjendje të dehur

Të miturit e proceduar: 16 dhe 17 vjeç, për drejtim mjetesh tip “Audi” dhe “Fiat” pa leje drejtimi.

Gjatë javës së fundit, janë vendosur mbi 3,000 masa administrative për shkelje të ndryshme, përfshirë:

940 për tejkalim të shpejtësisë

140 për parakalime të rrezikshme

80 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit

Policia Rrugore e Vlorës apelon për drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e celularit gjatë drejtimit, parakalimet e rrezikshme dhe drejtimin nën efektin e alkoolit.