Tekstet shkollore


MASH shpjegon se arsyeja është rritja e inflacionit dhe e librave alternativë


Shpresa Mezini


Çmimet e teksteve shkollore për vitin shkollor 2012-2013 janë rritur. Autoritetet e Ministrisë së Arsimit deklarojnë se rritja e tyre ka ardhur si pasojë e ndryshimit të inflacionit në vend. Ata pohojnë se rritja nuk është e madhe, ndërkohë që çmimet përcaktohen në bazë të një formule, si dhe nga propozimet e shtëpive botuese. “Në rast se çmimi del jashtë formulës, domethënë është më i lartë sesa kërkesa jonë teksti rrëzohet. Aktualisht kemi konstatuar që rritja përputhet me kërkesat tona, për rrjedhojë nuk do të ketë asnjë masë penalizuese”, sqarojnë burimet për gazetën “Shqip”. Sipas të dhënave, rezulton se sivjet çmimet e teksteve janë rritur me 3.44%, shifër që listohet edhe në tabelat e INSTAT. Mësohet se shtesa arrin te 1000-2000 lekë të vjetra, ku klasat që preken më shumë ato të klasës së I, XI dhe XII.


Një familjeje shqiptare që do të çojë për herë të parë fëmijën në shkollë, do të duhet të paguajë për tekstet rreth 1170 lekë, ndërsa vjet ka paguar 1000 lekë. Ky është çmimi që ka vendosur bordi i ngritur në Ministrinë e Arsimit dhe është ai më i larti për klasën e parë, pasi në shkolla të ndryshme ai mund të jetë edhe më pak. Por, specialistët e Ministrisë së Arsimit sqarojnë se kjo rritje vjen jo vetëm si pasojë e rritjes së inflacionit, por edhe për shkak të librave alternativë, të cilët janë përfshirë njëkohësisht në paketat shkollore. Ndërkohë për nxënësit që shkojnë për herë të parë në gjimnaz, tekstet do të kushtojnë rreth 4867 lekë ose 35.3 euro, ndërsa vjet paketa për këtë klasë ka kushtuar 3867 lekë. Duke iu referuar çmimeve të paketave shkollore që po shiten aktualisht në shkolla, ata që do të paguajnë më shumë janë prindërit e fëmijëve që sivjet do të jenë në klasën e 11-të, pasi paketa e librave shkon deri në rreth 5184 lekë, apo 37.6 euro, kur sivjet kanë kushtuar 4184 lekë.


Duke iu referuar të dhënave të MASH-it, çmimet e teksteve kanë ndryshuar, duke u rritur disi mbi bazën e indeksimit të çmimeve dhe inflacionit në vend. Megjithatë, edhe për këtë vit do të ndiqet politika e subvencionimit të teksteve shkollore nga MASH.


Edhe pse prindërit nuk kanë tërhequr faturat, ata mund të marrin shumën që përfitojnë nga rimbursimi pas fillimit të vitit shkollor, pasi të gjitha institucionet kanë listat emërore të të gjithë nxënësve që kanë blerë tekste.


Për kategoritë që përfitojnë ndihmë ekonomike librat do të subvencionohen në masën 100 për qind. Po kështu, 100 për qind do të subvencionohen edhe librat e nxënësve të minoritetit grek ose maqedonas. Ndërsa për ato familje, ku paga e kryefamiljarit është nën 30 mijë lekë, tekstet për fëmijët e tyre do të subvencionohen në masën 50 për qind. Zyrtarisht mësohet se Ministria e Arsimit ka vendosur që në arsimin e mesëm të kompensojë vetëm nxënësit prindërit e të cilëve marrin asistencë nga shteti.


 


Rritja – Sipas të dhënave, rezulton se sivjet çmimet e teksteve janë rritur me 3.44%, shifër që listohet edhe në tabelat e INSTAT


Klasa I – Një familjeje shqiptare që do të çojë për herë të parë fëmijën në shkollë, do të duhet të paguajë për tekstet rreth 1170 lekë


Klasa X – Nxënësit që shkojnë për herë të parë në gjimnaz, tekstet do të kushtojnë rreth 4867 lekë ose 35.3 euro


Klasa XI – Nxënësit që do të fillojnë klasën e XI do të paguajnë rreth 5184 lekë për të blerë paketën e librave shkollorë të këtij viti