Në disa zona të Bashkisë Lushnjë situata paraqitet kritike si pasojë e rritjes së prurjeve në lumenjtë Shkumbin dhe Seman, të shkaktuara nga reshjet e shumta.
Në fshatin Thanasaj, ujërat e lumit Shkumbin kanë përfshirë dhjetëra banesa dhe oborre, duke shkaktuar vështirësi për banorët e zonës. Sipas të dhënave deri në këto momente, niveli i ujit brenda argjinaturës nuk paraqet rrezik për dalje jashtë saj.
Ndërkohë, situata mbetet shqetësuese edhe në lumin Seman. Fshati Murriz–Kozare ndodhet nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ujërave të këtij lumi, ndërsa rritja e nivelit të tij përbën rrezik për disa fshatra përgjatë argjinaturës.
Më problematike paraqitet gjendja në fshatin Imshtë, ku niveli i ujit është pothuajse në të njëjtën lartësi me argjinaturën. Deri në këto momente nuk raportohet rrezik për çarje të argjinaturës, por nëse prurjet vijojnë me të njëjtin intensitet, ekziston mundësia që ujërat të kalojnë mbi të.

