Çdo qytetar do të fusë në portofolin e tij çdo ditë mesatarisht 32.6 euro gjatë këtij viti ose 1 euro më shumë se vjet. Të paktën ky është parashikimi i bërë nga Ministria e Financave dhe i pasqyruar në kuadrin makroekonomik 2027-2029, ku janë parashikuar që të ardhurat për frymë të jenë 11.899 euro nga 11.260 euro vjet. Kjo shtesë e lehtë e të ardhurave mujore për frymë, pritet të vijnë nga rritja ekonomike e pritshme në mesatarisht 4% për 3-vitet në vijim, punësimi dhe rritja e pagave.
“Rritja ekonomike për vitin 2025 vlerësohet rreth 3.9%, ndërsa pritet të ruhet në nivele të qëndrueshme edhe në vijim, në 4.0% për vitin 2026 dhe mesatarisht 3.9% përgjatë viteve 2027–2029”-, thuhet në dokument.
Rritja ekonomike e vendit edhe në këtë dokument theksohet se bazohet vetëm në projeksionet optimiste për rritje të turizmit, shtim të aktivitetit ndërtues dhe prej pagave të administratës publike. Ndërsa sa i takon industrisë dhe bujqësisë që janë në rënie sidomos në 2 vitet e fundit, pritet që kontributi në rritjen ekonomike të neutral.
Mbi këto pritshmëri, shtuar edhe pritjet për shtimin e konsumit, të investimeve, si dhe uljen e papunësisë në 7.6%, qeveria planifikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto në fund të 2026-ës të arrijë në 27.8 miliardë euro, nga 26.4 miliardë euro vjet.
Sa i takon borxhit publik, planifikohet në rënie vetëm në përqindje në raport me Prodhimin Kombëtar, ku në 2026-ën pritet të ulet në rreth 53.6%, por është në rritje në vlerë. Kurse në vlerë nga 14.2 miliardë euro vjet, borxhi publik këtë vit është parashikuar të arrijë në 14.9 miliardë euro. Praktikisht, bazuar në këto shifra, borxhi për frymë/banor këtë vit do të jetë 6,183 euro.



