Kushtet e papërshtatshme në selitë e gjykatave dhe stoku i dosjeve vazhdojnë të mbeten një problem pa zgjidhje pavarësisht se gjyqtarët e prokurorët prej kohësh po kërkojnë ndihmë.

“Gjyqtarët rrinë në zyra 1 me 1, zyra birucash. Ajo godinë kur futem më jep mua një lloj ankthi, imagjino një hallexhi, sidomos një rastet kur kemi njerëz të rrezikshëm”, tha Noel Veizi- zv. kryetar gjykata Fier.

“Kam qenë kundër hartës së re dhe mbaj mend që ngrija të vetmin shqetësim, thoja se si ka mundësi që nuk e kuptojnë dosjen dixhitale”, u shpreh Bevis Shehaj-zv.kryetar gjykata Lushnjë.

Ankesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve u përsëritën gjatë takimit të mbajtur nga KSHH, ku u prezantua monitorimi mbi efektet që shkaktoi harta e re gjyqësore, që nga 2023 reduktoi 38 gjykata në 20.

“Më problematike është cënimi i të drejtave të njeriut. Praktikisht vlerësohet se krijimi I barrierave, distanacave gjeografike, nuk është shpeshtuar mjaftueshëm sidomos për rastet kur proceset tejkalojnë afatet e arsyeshme siç është rasti në gjykatën e Apelit”, tha Blerina Bulica-eksperte KSHH.

Skanini i drejtësisë sipas hartës së re gjyqësore vjen në kohën kur shqiptarët nuk po marrin drejtësi brenda afateve ligjore dhe kur stoku vazhdon të jetë 140 mijë çështje.