Qyteti Studenti
Brovina: Studentët do të paguajnë 2 mijë lekë më shumë për bazën materiale
Shpresa Mezini
Qyteti Studenti, prej vitesh është destinacioni më i kërkuar i strehimit nga të rinjtë, që jetojnë përtej Tiranës, por që zgjedhin të studiojnë në universitetet e kryeqytetit.
Vit pas viti, fluksi i të rinjve që kërkojnë të regjistrohen në bujtinat që ofron kjo qytezë është në rritje, ndonëse kapaciteti nuk e justifikon gjithmonë kërkesën e tyre. Për rrjedhojë shumë të rinj u drejtohen shtëpive me qira, që në më të shumtën e rasteve janë garsoniere, për shkak se janë më të lira, ose më të mëdha pasi i ndajnë mes shoqesh e shokësh, për rrjedhojë pagesa bëhet më e thjeshtë. Mirëpo për t’u regjistruar në këtë “qendër” të rinjtë duhet të paguajnë një shumë fikse, e cila nuk ka ndryshuar prej vitesh, 40 mijë lekë të reja në total. Edhe pse e pandryshuar, është përfolur herë pas here rritja e kësaj shume, ndërsa vetëm këtë vit, ajo do të jetë më e lartë, 42 mijë lekë të reja. Kështu, si ata që do të regjistrohen sivjet për herë të parë, si ata që do të rinovojnë kontratën do të duhet të paguajnë 2 mijë lekë të reja më shumë për të jetuar 9 muaj në këtë qytezë.
Eliona Grezda, një studente e cila ka aplikuar për t’u regjistruar në një nga bujtinat e vajzave në Qytetin Studenti thotë se 40 mijë lekë i kanë kërkuar vetëm për qëndrimin në dhomë, ndërsa 2 mijë lekë për bazën materiale të dhomës që merr në dorëzim studenti.
Të njëjtën gjë pohon edhe vetë drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, i cili theksoi se tarifa duhet të shkojë paralel me kushtet që ofrohen, ndërsa shtoi se investimet e bëra vitet e fundit duhet t’i ndërgjegjësojnë studentët për të qenë më të kujdesshëm. Brovina sqaron se godina ku për herë të parë do të jetojnë të dashuruarit dhe familjarët janë gati, ndërsa thekson se kërkesat janë të shumta.
Sipas të dhënave nga drejtoria e Qytetit Studenti, më datë 1 tetor rinisin regjistrimit, fillimisht me vitet e dyta, të treta, të katërta dhe të pesta, të cilët e gjejnë emrin në databazën e kësaj qendre, për shkak të kontratave që kanë lidhur më parë me këtë institucion. Drejtori i kësaj qendre bën me dije se deri më tani numërohen mbi 1800 të rinj që regjistrohen për herë të parë në bujtinat e Qytetit Studenti.
Regjistrimet
Fluksi i të rinjve që preferojnë të jetojnë në konviktet e Qytetit Studenti vjen gjithnjë e në rritje. Sipas parashikimit rezulton se numri i kandidatëve që do të regjistrohen këtë vit në qytezë arrin në mbi 6 mijë studentë. Duke iu referuar deklaratës së drejtorit të Qytetit Studenti, procesi i regjistrimeve në bujtina do të nisë më datë 1 tetor, ndërsa pritet të përfundojë brenda 10 ditëve, më 10 tetor. E megjithatë, Brovina, tha se ndonëse afati i regjistrimeve “skadon” më datë 10 tetor, ka hapësira për atë pjesë të të rinjve që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të regjistrohen në kohë, çka do të thotë se procesi është i hapur.
Dokumentacioni
“Dokumentet që duhet të përmbajë dosja e regjistrimit janë: certifikatë me fotografi të periudhës korrik-tetor 2012 ose fotokopje të kartës së identitetit, e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar, 3 fotografi, vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i vulosur (jo fotokopje) dhe raport mjekësor nga rrethi përkatës. Për të përfituar shërbime mjekësore falas, studentët duhet të sjellin pranë qendrës shëndetësore kartelën mjekësore, mandatpagesën dhe urdhër-regjistrimin nga inspektorët regjistrues, që janë të vendosur pranë çdo bujtine”, tha drejtori i Qytetit Studenti.