Rritja e çmimit të naftës gjatë muajit mars ka rënduar ndjeshëm xhepat e qytetarëve, ndërsa nga ana tjetër ka sjellë më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave zyrtare, çmimi i naftës në treg arriti mesatarisht në rreth 200 lekë për litër në mars, nga 175 lekë që ishte një muaj më parë. Kjo rritje u reflektua menjëherë në taksat që mblidhen mbi karburantin, sidomos në TVSH dhe akcizë.

Importet e naftës u rritën lehtë, por të ardhurat nga TVSH u zgjeruan më shumë për shkak të çmimit më të lartë. Në mars, nga TVSH mbi naftën u mblodhën rreth 1.93 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje lidhet drejtpërdrejt me shtrenjtimin e çmimit.

Edhe të ardhurat nga akciza kanë shënuar rritje, si pasojë e indeksimit dhe çmimeve më të larta. Megjithëse u miratua një ulje e përkohshme e akcizës kur çmimi kaloi mbi 220 lekë për litër, ajo u aplikua vetëm për pak ditë.

Në të njëjtën kohë, qytetarët kanë paguar më shumë për karburantin. Konsumi i naftës në mars arriti në rreth 42 milionë litra dhe për këtë sasi janë shpenzuar rreth 8.5 miliardë lekë, ose afërsisht 87 milionë euro.

Nëse çmimi do të kishte mbetur në nivelin e shkurtit, shpenzimet do të ishin rreth 11 milionë euro më pak. Kjo diferencë tregon ndikimin e drejtpërdrejtë që rritja e çmimit të naftës ka pasur te konsumatorët.

Ndërkohë, përballë kësaj situate, qeveria ka ndërhyrë vetëm pjesërisht, duke premtuar kompensim për transportin publik, pas problemeve të krijuara në qarkullim./monitor