Dorëheqja e papritur e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Alfred Peza, pasoi me një skandal brenda televizionit publik shqiptar, të cilin e shkaktoi letra në formë ankese e gazetares Blerta Tafani.

Gazetarja e RTSH, Blerta Tafani përmes një letre drejtuar bordit të RTSH dhe kryetarit të saj, Leka Bungo akuzoi ish-drejtorin e RTSH, Alfred Peza për dhunë psikologjike në punë dhe presione nga më të ndryshme. Në letrën drejtuar bordit drejtuas 3 dite me parë, gazetarja Tafani akuzon drejtëpërdrejt Pezën edhe për ngacmim seksual.

Siç shihet dhe në shkresë, Blerta Tafani thotë se më datë 28 Shtator të vitit të kaluar, pas orës 20.00 të mbrëmjes, në celularin e saj kanë mbërritur mesazhe të padenja dhe imponuese për takim jashtë pune, nga drejtori Alfred Peza.

Por nuk dihet çfarë e ka prishur raportin mes dyshes, pasi Alfred Peza që me ardhjen e tij në detyrë në shtator të vitit të kaluar në drejtimin e RTSH, zgjodhi si zëvendëse të tij, pikërisht Blerta Tafanin.

Peza e emëroi këtë të fundit nr.2 të televizionit publik shqiptar, pasi thuhet se mes tyre kishte një raport të vjetër miqësie.

Nuk munguan as zërat se Peza i dha një rrogë të majme prej 20 milionë lekësh në muaj Tafanit, si drejtuese emisioni në RTSH. Kjo formë abuzimi dhe vjedhje me procedurë është evidentuar si shkelje edhe nga KLSH pasi me një pagë të tillë stratosferike paguhej nga paratë e taksave të shqiptarëve.

Në denoncimin e bërë asokohe thuhej se për një vit për emisionin në RTSH, Tafani është paguar 160 milionë lekë.

Kryetari i Këshillit Drejtues Leka Bungo dhe anëtarët e tjerë nuk kanë firmosur për këtë emision sepse ka qenë teper i fryrë nga shuma e parave.

Bashkëpunimi tashmë i prishur mes Alred Pezës dhe Blerta Tafanit, sipas akuzave duket se ka shkuar përtej vetëm rënies dakord për shifra parash. Më herët është raportuar se ata në dakordësi me njëri-tjetrin kanë shkarkuar punonjës nga RTSH.

Në bisedat e bëra në Whatsapp tregohej se si Peza dhe Tafanin shkarkonin Kryeredaktoren e lajmeve, Mimoza Haxhiaj, pavarësisht eksperiencës së saj të gjatë në këtë televizion si gazetare prej 15 vitesh.