Reforma e re territoriale e cila synon shkrirjen e disa bashkive dhe bashkimin e tyre me disa të tjera, ka ndezur protesta të shumta nga banorët që preken nga ky ndryshim. Qytetarët e Rrogozhinës janë mbledhur në Parkun e Qytetit për të protestuar, pasi kundërshtojnë bashkimin e tyre me Kavajën. Nën sloganin “Rrogozhina është e jona”, qytetarët protestuan kundër reformës territoriale, duke kërkuar ruajtjen e bashkisë dhe identitetit administrativ të qytetit.

Ata argumentuan se Bashkia e Kavajës përballet me problematikat e veta dhe nuk mund të përballojë apo zgjidhë edhe ato të Rrogozhinës. Nëse kjo nuk merret parasysh nga autoritetet përkatëse, banorët kanë paralajmëruar se do t’i vazhdojnë protestat e tyre.