Pas tragjedisë që tronditi Durrësin dhe mbarë opinionin publik mesditën e të dielës ku dy fëmijë humbën jetën pas përplasjes së furishme automjeti që drejtonte në gjendje të dehur 57 vjecari Nikoll Radaci, në Spitalin e Traumës në Tiranë, po merr trajtime mjekësore intensive 8 vjecari tjetër i përfshirë në këtë aksident. Mjekët konfirmojnë se gjendja e tij është disi më e stabilizuar por ka pësuar fraktura të shumta për shkak të aksidentit të rëndë.
Ndërkohë, familjarët dhe të afërmit po jetojnë orë ankthi, duke pritur çdo lajm nga bluzat e bardha, ndërsa kjo tragjedi ka lënë pas një dhimbje të thellë dhe shumë pikëpyetje për atë që mund të ishte parandaluar.
Banorët por edhe pamjet e sigurise tregojnë se fëmijët ishin duke luajtur, në një ditë të zakonshme, kur një automjet doli nga kontrolli dhe u mori jetën në mënyrë fatale. Qytetarët flasin për një tragjedi të paralajmëruar dhe ngrejnë akuza të forta ndaj mungesës së reagimit nga institucionet. Nikoll Radaci, 57 vjec një ditë më parë teksa drejtonte automjetin me shpejtësi tej normave përplasi fatalisht të miturit sipër trotuarit.
Banorët e kësaj zone thonë se kjo nuk ishte një ngjarje e papritur. Sipas tyre, drejtuesi i automjetit kishte qenë prej kohësh problematik dhe shqetësim për komunitetin. Ata pretendojnë se kanë denoncuar disa herë rastet e lëvizjes me shpejtësi dhe në gjendje të dehur në këtë rrugë, por sipas tyre, nuk është marrë asnjë masë konkrete. Sot, kjo rrugë është kthyer në simbol të një tragjedie që, sipas tyre, mund të ishte shmangur.
