Sipas tyre, emrat e rrugëve ndryshojnë vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak


Rruga Edi RamaEdhe pse në aplikacion e hartës së Bashkisë së Tiranës dhe ‘Google Map’ rezulton se ekziston një rrugë me emrin e kryeministrit të vendit Edi Rama, kjo është mohuar nga Bashkia e Tiranës. Në njoftimin zyrtar të këtij institucioni thuhet se emrat e rrugëve ndryshojnë vetëm me vendim të këshillit bashkiak. Sipas tyre, një vendim i tillë nuk është diskutuar asnjëherë duke mohuar në mënyrë kategorike që ka një rrugë me emrin e kryeministrit. “Bashkia e Tiranës kërkon të sqarojë opinionin publik se në territorin e saj nuk ekziston asnjë rrugë, e cila të mbajë emrin ‘Edi Rama’. Sipas ligjit, emrat e rrugëve të qytetit vendosen ose ndryshojnë vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Bashkia e Tiranës bën me dije se në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës apo të këshillave të ish-komunave, të cilat tashmë janë pjesë e Bashkisë së Tiranës, nuk ka shqyrtuar e as ka pasur në plan ndonjëherë për të shqyrtuar një vendim të tillë”, thuhet në komunikatën zyrtare. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka quajtur të turpshëm veprimin e Ramës për t’i vënë rrugës së Surrelit emrin e tij. “Rama si don Korleone, i vë emrin e vet rrugës ku banon në Surrel. Po ju rikujtoj këtu se sarajet e tij në Surrel janë simboli më i shëmtuar i korrupsionit. Në vitin 2011, ai deklaroi se kishte si kursime vetëm 3 mije euro, ndërkohë që vetëm pigmenti i betonit ka kushtuar 76 mijë euro dhe në hipotekë ka deklaruar se tokën truall të sarajeve e ka blerë me 2$ metrin katror në një kohë kur aty toka shitej me 50$ metri katror. Tani prisni kur të shpallë rrugën pronë personale”, shkruan Sali Berisha në rrjetin social ‘Facebook’.