Rama: Dua ta ritheksoj se në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe. Ndërsa në ndarjen e orëve të fjalës në Kuvend, po të shikosh nga jashtë, duket sikur jemi në një parlament 51 me 49, çka do të thotë se orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës janë anomalisht shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e BE-së.
Me këtë nuk dua të them se duam t’ua ulim orët opozitës; përkundrazi, dua të them se duhet të shikojmë që të ndërpriten fjalët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare, duke përdorur procedurën për të marrë peng jo Kuvendin, por publikun. Dhe për të pushtuar sallën e parlamentit, duke vendosur deputetët e shumicës në pozitën e atyre që janë aty thjesht spektatorë të një teatri balte.
Kjo duhet të marrë fund. Në asnjë parlament demokratik, në asnjë parlament të BE-së, kjo nuk i lejohet asnjë force politike. Prandaj, duke qenë se rregullorja e parlamentit nuk është e shkruar në gur, dhe duke u bazuar te rregulloret dhe praktikat e BE-së, duhet ndërhyrë menjëherë që fjala “procedurë” të mos jetë e barabartë me konceptin e pengmarrjes.
