Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një përditësim të detajuar mbi situatën në vend pas reshjeve të dendura dhe motit të keq që kanë përfshirë disa qarqe. Sipas raportit, gjatë natës, ekipet operacionale dhe strukturat vendore kanë vazhduar punën në terren për të normalizuar kushtet dhe për të siguruar akse rrugore, ndërsa po punohet gjithashtu për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Përditësim sipas qarqeve:
Qarku Lezhë
Puna për normalizimin e situatës vazhdon në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë Mamurras, në njësinë administrative Mamurras, bashkia Kurbin.
Rruga në fshatin Shpërtheth mbetet e dëmtuar për shkak të ujërave të lumit Droje, por po punohet nga forcat në terren për rikuperimin e saj. Po ashtu, është duke u punuar për sigurinë e kalueshmërisë në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, në njësinë administrative Milot, dhe në Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë ka pësuar dëme të rëndësishme.
Qarku Durrës
Situata ka përmirësuar ndjeshëm në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm, ku ujërat janë tërhequr.
Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda normave të zakonshme. Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj po punojnë me kapacitet të plotë për të shmangur mundësinë e përmbytjeve të tjera.
Qarku Kukës
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme dhe nuk raportohet për probleme të mëtejshme.
Qarku Shkodër
Segmenti rrugor Theth–Ndërlysaj është zhbllokuar, ndërsa Ndërlysaj–Breg-Lumi mbetet i bllokuar. Puna për zhbllokimin e këtij segmenti do të vijojë gjatë ditës.
Qarku Gjirokastër
Aksi rrugor Sofratikë–Libohovë është kthyer në normalitet, por situata e ujërave është e ndërlikuar në segmentin Gjirokastër–Tepelenë, veçanërisht në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.
Qarku Elbasan
Po vazhdojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentet rrugore Elbasan–Peqin dhe Elbasan–Librazhd, ku ka pasur bllokime nga materialet e grumbulluara gjatë reshjeve të fundit.
Qarku Korçë
Në fshatin Sanjollas, në njësinë administrative Barmash, situata është normalizuar pas zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke shmangur rrezikun për banesat e zonës.
Situata energjetike:
Përsa i përket furnizimit me energji elektrike, ekipet e OSHEEE janë angazhuar për rikthimin e energjisë në zonat e prekura, duke përfshirë:
Fshatrat Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë, në qarkun e Lezhës
Njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj në qarkun e Kukësit
Hajmel dhe Vig–Mnelë (bashkia Vau-Dejës), si dhe Iballë dhe Qafë-Mali (bashkia Fushë-Arrëz) në qarkun e Shkodrës
Zona e Maricaj dhe Memaliaj, në qarkun e Gjirokastrës
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë në çdo moment në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike. Ekipet emergjente po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat vendore për të menaxhuar çdo emergjencë që mund të lindë nga moti i keq dhe reshjet e shumta.
