Qyteti i Shkodrës është përfshirë nga një valë e rëndë kriminaliteti gjatë vitit 2025, me nëntë vrasje të ndodhura deri në shtator, shumica prej tyre me motive mafioze apo përplasje të dhunshme në mes të zonave të banuara. Këto ngjarje kanë tronditur rëndë ndjenjën e sigurisë publike dhe kanë rikthyer pasigurinë në një nga qytetet më të mëdha të veriut të vendit.

Mëngjesin e sotëm, një atentat mafioz në qendër të Shkodrës la të vrarë Armando Palin, ish-këshilltar bashkiak dhe ish-punonjës i IMT-së, si dhe Liridon Krajën. Dyshohet se shënjestra e atentatit ishte Erogen Vaso, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet nën kujdes mjekësor. Nga plumbat u lëndua edhe kamerierja e një lokali pranë vendngjarjes.

Më 8 shtator, 34-vjeçari Kristian Kola u ekzekutua në mënyrë profesionale në qendër të qytetit. Autorët, që lëviznin me motor, e qëlluan me 8 plumba, pa i dhënë asnjë mundësi shpëtimi. Pamjet dhe rindërtimi i skenës treguan për një atentat të planifikuar në detaje. Babai i viktimës ka paralajmëruar vetëgjyqësi nëse drejtësia nuk vepron.

Në 5 shtator, në fshatin Abat të Shalës, Piro Prroni, 61 vjeç, mbeti i vrarë pas një përplasjeje fizike me Ndoc Maçajn, i cili më pas u vetëdorëzua në polici. Ai pretendoi se e qëlloi në vetëmbrojtje, pasi viktima e kërcënoi me kosë.

Në 4 gusht, Frrok Lleshi, 65 vjeç, u vra në fshatin Paçram. Ish-polici, i dënuar më herët për vrasje dhe i liruar në vitin 2023, dyshohet se u ekzekutua për motive hakmarrjeje.

Më 27 shkurt, 20-vjeçari Pavlin Preka u qëllua për vdekje në fshatin “Guci e Re”. Hetimet për këtë ngjarje janë ende në vijim.

Në 18 shkurt, Anila Ndoka Prendushi, 44 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, u qëllua nga i dashuri i saj, i cili më pas vrau veten. Ajo ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.

Në 5 janar, në Postribë, u vra 33-vjeçari Ramzan Mataj. Tre anëtarë të familjes Hasaj u arrestuan si autorë të dyshuar.