Policia ka nisur një aksion për evidentimin dhe heqjen e xhamave të errësuar të automjeteve që janë vendosur në kundërshtim me ligjin. Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lamallari shkruan se xhamat e errësuar në makinë nuk i bëjnë shoferët të padukshëm. Ai theksoi se nëse ata janë pa leje, do të hiqen nga Policia e Shtetit. Në fund ai tha se rrugët nuk janë vend për anonimitet dhe as për privilegje, por hapësirë publike ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.

“Xhamat e errësuar në makinë nuk ju bëjnë të padukshëm. Dhe më keq akoma kur ato i keni pa leje, sigurisht që do të hiqen pa një pa dy nga Policia e Shtetit. Rrugët nuk janë vend për anonimitet dhe as për privilegje. Janë hapësirë publike ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.”- shkruan ministri.