Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se rruga që po ndërtohet te mbikalimi i Rinasit, autostrada Tiranë-Durrës, do jetë pa pagesë. Gjatë një konference për shtyp me gazetarët, Karakaçi shpjegoi se për të gjitha investimet e financuara nga buxheti i shtetit nuk bëhet pagesë nga qytetarët për udhëtimet në rrugët e ndërtuara. Karakaçi nënvizoi se punimet në autostradë vijojnë teksa dha lajmin se edhe mbikalimi aktual i Rinasit do të shembet dhe do të ndërtohet një i ri me 4 korsi, për të lehtësuar edhe më tej trafikun e rënduar që krijohet.

“Ne hapëm korsitë në drejtim të Rinasit dhe në drejtim të Tiranës kur vjen nga Durrësi që ishin 6 km e para. Patjetër që hinka krijohet përsëri, për çdo qytetar dhe për mua që kaloj në atë rrugë, por mund të theksoj se trafiku është shumë i ndryshuar. Kishim një problematikë me një mbikalim që na detyroi ta ngushtonim disi, në rrugën që çon për në Rinas, që u rregullua me ndërhyrjen e menjëhershme të ARRSH, duke e liruar, sepse atje është i bllokuar trafiku në dalje tanimë. Tjetra ne e dimë që është hinka që krijohet në mbikalimin e Rinasit, ajo çfarë mund t’ju them është se ne kemi në fuqi kontratën duke u zbatuar dhe çdo qytetar që kalon aty mund ta shikojë vazhdimin e punimeve pas mbikalimit të Rinasit. Pjesë e kësaj kontrate është shembja e mbikalimit të Rinasit, krijimi i një mbikalimi të ri me 4 korsi, dhe vazhdimi i korsive shtesë që janë duke u punuar dhe kjo do i japë një shfryrje më të madhe trafikut në Tiranë-Durrës. Për sa i përket çështjes që i referoheni me pagesë apo pa pagesë, për sa kohë që të gjitha këto financime janë duke u bërë nga buxheti i shtetit, patjetër ajo do të jetë pa pagesë”, tha ai.