Portugezi Ruben Saraiva ka dalë këtë të martë para Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku po shqyrtohet çështja për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Seanca ka nisur nën masa të rrepta sigurie, ndërsa në sallë janë të pranishëm edhe familjarët e viktimës.

Saraiva është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë, pasi u shpall fajtor për vrasjen e Nikulajt, ngjarje e ndodhur më 19 prill 2023 në lokalin e biznesmenit në Shëngjin. Për shkak të rëndësisë së çështjes, në ambientet e gjykatës janë marrë masa të shtuara sigurie.

Ardian Nikulaj u vra më 19 prill 2023 brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit. 

Portugezi Ruben Saraiva u largua nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Ai u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgim.

Nga ana tjetër, britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, dhe kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva.