Masa të forta sigurie. Rreth 7.000 policë janë vendosur në qendër dhe rrugët kryesore të qytetit


Në Moskën e blinduar nga policia, mijëra persona kanë zbritur në shesh për të protestuar sërish kundër qeverisë dhe rikthimit në krye të Kremlinit të Vladimir Putin. Sipas përfaqësuesve të opozitës, rreth 100 mijë persona do të marrin pjesë në atë që e kanë quajtur “Marshi i milionave” për të kërkuar nisjen e reformave sociale dhe politike. Ndërkaq policia ka marrë masa të forta sigurie për të shmangur incidentet gjatë protestës së opozitës. Mësohet se rreth 7.000 policë janë vendosur në qendër të kryeqytetit rus dhe përgjatë rrugëve ku pritet të kalojnë protestuesit. Sergei Udalstsov, një nga udhëheqësit e opozitës, ka thënë se slogani kryesor i marshit do të jetë: “Fund represionit politik”. “Kërkesat e tjera përfshijnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe presidenciale dhe më shumë mbështetje qeveritare për grupet me të ardhura të vogla. Ndërkohë kërkojmë lejimin në televizionet publike edhe të kundërshtarëve politikë të Presidentit Putin”, ka thënë ai. Marshime janë planifikuar edhe në qytete të tjera të Rusisë. Nisma e opozitës ka ardhur pas përjashtimit nga Duma ruse e deputetit Gudkov, i cili muajt e fundit ka qenë një nga kundërshtarët kryesorë të Presidentit Putin. Për herë të parë do të marrë pjesë në manifestime edhe Partia Komuniste dhe mësuesit e Moskës, deri më tani të konsideruar si pinjollë të pushtetit qendror në kryeqytet. “Marshimi i milionave” i mëparshëm, që u zhvillua në qershor, mblodhi në Moskë rreth 50.000 persona dhe u vlerësua si një ndër protestat më të mëdha anti-Putin.