Ndërsa represioni rritet, aktivistët po punojnë për përballjen me Putinin
Opozita ruse ka njoftuar shtim të protestave masive për muajin dhjetor. Moska është e gatshme për t’u përballur me demonstratat pa marrë parasysh atë që mund të ndodhë. Duket se shteti rus u trembet qytetarëve të vet.
Është një garë pushteti. Kush i drejton të shtënat në Rusi, të ashtuquajturat strukturat Siloviki? Ushtria, policia dhe shërbimet inteligjente, apo opozita? Beteja nuk është shumë e ndershme. Në njërën anë qëndron fuqia shtetërore nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin, ndërsa, nga ana tjetër, lëvizjet e protestave. Në përpjekjen për një koordinim më të mirë dhe një zë të vetëm, opozita ka zgjedhur nëpërmjet internetit Këshillin Koordinues.
Është rinia ruse, mbi të gjitha, e cila thotë se do një të ardhme pa ndërhyrje të autoriteteve, një të ardhme pa Putinin. 21-vjeçarja Isabelle Magkoeva iu bashkua lëvizjes së protestave në dhjetor të vitit 2011. Sot, ajo është nga drejtuesit e lëvizjes “Occupy Moscow” dhe ka mbështetur qartazi shpresat te kolegët e saj. “Ne po përgatisim revolucionin!” i tha DW mësuesja japoneze, duke shtuar se ajo nuk ndan bindjet jopolitike të prindërve të saj. “Ka njerëz të brezit tim që nuk dinë asgjë rreth Bashkimit Sovjetik. Por në ndryshim nga brezi i prindërve të mi, ne nuk kemi frikë dhe nuk jemi cinikë. Ne besojmë se ndryshimi në këtë vend është i mundshëm.”
Në të vërtetë, demonstruesit e rinj janë të patrembur. Ata gjithashtu kanë një platformë të qartë dhe një sfond konceptual të përbashkët. Opozita ka në radhët e saj aktivistë ambientalistë dhe liberalë ekonomikë, si dhe nacionalistë të krahut të djathtë. Lideri nacionalist, Dmitry Dyomushkin, thuhet se ka kontakte të ngushta me kritikët e njohur ndaj qeverisë, si për shembull ish-zëvendëskryeministrin Boris Nemtsov dhe Sergei Udaltsov, lideri i lëvizjes së Frontit të Majtë.
Edhe mes Këshillit Koordinues ka mosmarrëveshje. Yevgeniya Chirikova, aktiviste ambientaliste e së Gjelbrës dhe anëtare e Këshillit të sapoformuar, kritikon bashkëaktivistin e spikatur Alexei Navalny për fshehje dhe ndryshim të bindjeve të tij.
Chirikova tha se lëvizjet e Gjelbra në Europë dhe Gjermani e kanë frymëzuar atë dhe i kanë dhënë kurajë për të nisur një lëvizje të ngjashme në Rusi. “Nuk kishte asgjë të krahasueshme në Rusi”, i thotë ajo DW. “Por në Gjermani, për shembull, kam parë njerëz që luftojnë për idetë e tyre, që dalin në rrugë dhe nisin lëvizje. Lëvizje në nivel lokal, që nuk marrin urdhra nga qeveria.”
Megjithatë, shumicës së rusëve u mungon kuraja e Chirikova-s. Edhe pse protestat janë shpërndarë nga Shën Peterburgu e Moska dhe deri në qytetet e tjera, shtresa e mesme kryesisht ka qëndruar larg lëvizjeve të opozitës. Në moshën 35 ose 40 vjeç, shumë njerëz janë plotësisht të zënë me punën dhe familjet e tyre. Mungesa e kohës, frika nga represioni shtetëror dhe gjetja e emrave të tyre në “listat e zeza” i ka mbajtur ata larg rrugëve. Shumica e shtresës së mesme ruse nuk dëshiron të rrezikojë sigurinë e saj, të fituar me aq shumë kujdes.