Moska humbet shpresat për mbijetesën e aleatit të tij, përgatitet për evakuim


Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Mikhail Bogdanov, i cili është njëkohësisht i dërguari i Moskës për Sirinë, deklaroi dje se Presidenti Bashar al-Assad po humbet kontrollin e vendit dhe se mund të mposhtet nga forcat rebele.


“Për fat të keq, është e pamundur të përjashtohet fitorja e opozitës së Sirisë si një mundësi”, tha Bogdanov. Ky ishte indikacioni më i qartë deri sot, se Rusia, mbështetësi më i madh i Assad, mendon se aleati i vet në Siri po humbet një luftë civile që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.


“Ne duhet të shohim thatë faktet dhe tendenca tashmë sugjeron se regjimi dhe qeveria në Siri po humbasin më shumë kontroll dhe më shumë territore”, tha Bogdanov, në disa komente të transmetuara nga agjencitë ruse të informacionit.


Rusia po përgatit evakuimin e qytetarëve të vet, një detyrë komplekse për shkak se gratë ruse janë martuar me burra nga Siria, të cilët qenë dërguar për arsimim në Rusi dhe më pas janë kthyer në Siri bashkë me gratë për të krijuar familje e për të rritur fëmijë. Kjo ishte hera e parë që një zyrtar në nivelin e Bogdanov njoftoi plane për evakuim, gjë që dërgon një mesazh të qartë për qeverinë e Sirisë se Rusia nuk mban më shpresa për mbijetesën e qeverisë së këtij vendi.


Ndërsa zyrtari rus po fliste, prova të reja u publikuan mbi intensifikimin e betejës në afërsi të kryeqytetit Damask.


Media shtetërore e Sirisë dhe aktivistët kundër qeverisë raportuan se së paku 16 vetë u vranë kur një makinë-bombë shpërtheu pranë një shkolle në qytetin e Qatanas. Trupat qeveritare vijojnë të mbajnë kontrollin mbi këtë qytet që ka mazhorancë sunite dhe një minoritet kristian. Numri i makinave bombë që kanë shpërthyer në zona rezidenciale duket në rritje. Ato kanë shpërthyer në lagjet e perceptuara si zona ku banojnë shumë mbështetës të qeverisë. Edhe ministri i Brendshëm i Sirisë, Mohamed Ibrahim al-Shaar, raportohet se ka mbetur i plagosur në një sulm me bombë kundër ministrisë së tij, por nuk është dëmtuar shumë.


Rusia dëshiron të ruajë interesat e veta strategjike në Siri, përfshirë edhe një bazë ushtarake detare dhe tashmë po takohet më shpesh me delegacione të opozitës, ndoshta duke krijuar themelin për një tranzicion të mundshëm. Bogdanov tha se besonte se rreth gjysma e qytetarëve rusë në Siri mbështeste rebelët.


“Disa nga njerëzit që kanë ardhur këtu si pjesë e koalicionit opozitar kanë pasaporta ruse”, shtoi ai.


Rusia ka bllokuar përpjekjet për të ndërhyrë në luftën civile në Siri, një temë shumë pasionante për Presidentin Vladimir Putin, i cili ndien se Rusia u mashtrua kur mbështeti krijimin e një zone të ndalim-fluturimit në Libi, gjë që u pasua me bombardime dhe me rrëzimin e vrasjen e kolonelit Muammar el-Qaddafi.