Ndërtimi pa leje i zbuluar nga policia të enjten në Sarandë dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale që kanë tronditur qytetin gjatë muajve të fundit. Sipas burimeve policore, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në pronësi të Isuf Jaçaj, i cili humbi jetën pas një atentati me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.
Hetuesit dyshojnë se pas shpërthimit që i mori jetën Jaçajt qëndron një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili mund të jetë i përfshirë edhe në ngjarje të tjera të rënda kriminale në Sarandë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në pronën e marrë me forcë nga ky grup po ndërtohej një beach bar, i planifikuar për t’u hapur gjatë sezonit turistik veror.
Ndërkohë, dyshohet se për lejimin e aktivitetit në këtë pronë janë dhënë ryshfete tek zyrtarë të policisë lokale. Për këtë çështje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar shefin e Komisariatit të Policisë në Sarandë, si edhe tre efektivë të tjerë që ishin nën varësinë e tij.
