Kalimi në Tunelin e Llogarasë pritet që shumë shpejt të mos jetë më falas, pasi brenda këtij muaji parashikohet të nisë zyrtarisht aplikimi i tarifave për çdo mjet që përdor këtë aks rrugor.
Aktualisht, procesi ka hyrë në fazën finale, ku janë kryer testimet e fundit për funksionimin e sistemit të pagesës. Në të gjithë tunelin janë instaluar kamera sigurie dhe pajisje elektronike moderne, të cilat do të bëjnë të mundur identifikimin dhe tarifimin automatik të mjeteve.
Sipas skemës së parashikuar, tarifat do të variojnë në bazë të kategorisë së mjetit. Motoçikletat do të paguajnë rreth 100 lekë, ndërsa për automjetet e zakonshme tarifa do të jetë 250 lekë për një kalim, ose 500 lekë vajtje-ardhje. Mjetet me karroceri do të tarifohen 500 lekë, ndërsa furgonët dhe autobusët rreth 1000 lekë.
Ndërkohë, për mjetet e tonazhit të rëndë tarifa mund të arrijë deri në 5 mijë lekë, duke e bërë këtë një nga akset me pagesë më të rëndësishme në jug të vendit.
Autoritetet synojnë që përmes këtij sistemi të menaxhojnë më mirë trafikun dhe të garantojnë mirëmbajtjen afatgjatë të tunelit, i cili konsiderohet një nga investimet më strategjike në infrastrukturën rrugore të Shqipërisë.
