
Dilema e çdo të riu është që të zgjedhë një profil të caktuar, i cili do t’i shërbejë më pas për t’u përballuar me tregun e punës. Sipas sondazhit më të fundit nga Gallup, 35% e studentëve me një diplomë Bachelor dhe 30% e studentëve në përgjithësi, synojnë të studiojnë jashtë vendit.
E ndërsa duket se gjithçka po fokusohet rreth pandemisë, perspektivat për të ardhmen edhe pse jo në kushte normale, vazhdojnë. Për t’i ardhur në ndihmë pikërisht kësaj përqindje të të rinjve shqiptarë që duan të studiojnë jashtë Qeveria Kanadeze organizon me datën 10 nëntor edicionin e parë të Panairit Virtual 2020 EduCanada për Evropen Lindore dhe Azinë Qendrore
‘EduCanada’ promovon dhe informon falas studentët ndërkombëtarë të cilët duan të studiojnë në Kanada. Ky portal ofron një gamë shumë të gjerë informacioni si dhe detaje mbi sistemin arsimor në Kanada.
Në një lidhje ‘Skype’ për ‘Wake Up’, Virginie Levesque, Këshilltare e Marrëdhënieve me Publikun dhe Promovimit të Interesave i Ambasadës Kanadeze në Romë theksoi se kjo është një mundësi mjaft e mirë për të rinjtë.
“Do të jetë i ngjashëm me një panair të vërtetë, në kuptimin që njerëzit do të kenë mundësinë që të vizitojnë stendat virtuale. Gjithashtu ata do të kenë mundësi të marrin informacion, t’i vendosin ato në një karrocë virtuale për blerje dhe në fund të panairit do të mund t’i shkarkojnë këto informacione. Një tipar shumë interesant është se kanë një funksion kërkim që do t’i ndihmojë studentët që të gjejnë programet që janë duke kërkuar.
Nëse janë duke kërkuar për biznes dhe nuk dinë cilit institucion t’i referohesh, atëherë ky opsion do t’i ndihmojë studentët ku të shkojnë për të marrë informacion. Është më mirë se një panair fizik, sepse në pak kohë mund të marrësh shumë informacione të vlefshme”, sqaroi ajo.
Virginie Levesque shtoi: “Çmimi varet nga shumë faktorë, varet nga koha që zgjat një program, tarifat në një provincë të caktuar, programi i zgjedhur, kostoja e vendit ku keni zgjedhur të jetoni. Por të faqja ka informacione që ju ndihmon të llogarisni kostot. Por në shkallë ndërkombëtarë, Kanadaja ofron cilësi të lartë mësimdhënie me çmim të arsyeshëm”