Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 15-të, ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe ndryshime në drejtimin e vendit.

Pankartat e frymëzuara nga meme të famshme në rrjetet sociale, kanë tërhequr vëmendjen, duke u bërë zëri ndryshe dhe “qershia mbi tortë’ e këtyre protestave, duke përcjellë mesazhe në një mënyrë ndryshe. Përmes ironisë, humorit dhe mesazheve të drejtpërdrejta të rinjtë dhe jo vetëm, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për situatën në vend.

Mes sloganeve që u panë dje në protestë ishin: “Sa mandate duhen për ujë dhe drita 24 orë?”, “Mos na lini vetëm flamurin, por edhe Atdheun”, “Ne jemi shqiponja, nuk jemi dele”, si dhe “Nuk është cirk Shqipëria, larg kllounët nga qeveria”.

Pankarta të tjera përcillnin mesazhe mbi presionin ndaj qytetarëve dhe raportin mes pushtetit dhe shoqërisë, me fraza si: “Më kërcënuan me vendin e punës, por sërish dola në protestë. Kush është justifikimi yt?”, “Fuqia e njerëzve, jo e oligarkëve” dhe “Qytetari kërkon qytetari, shteti tregon harbutëri”.


