Gjashtë vite pas vdekjes misterioze të shqiptarit Saimir Sula në Barcelonë të Spanjës, familja e tij vijon betejën për të zbuluar të vërtetën. I riu ndërroi jetë në maj të vitit 2020, por rasti mori një kthesë tronditëse kur pas mbërritjes së trupit në Shqipëri, familjarët konstatuan se zemra e tij mungonte.

Historia është rikthyer në vëmendje përmes një investigimi të mediave spanjolle, të cilat kanë shqyrtuar dokumente gjyqësore dhe materiale të hetimeve të zhvilluara në të dyja shtetet.

Saimir Sula kishte shkuar në Barcelonë në fillim të vitit 2020, ku jetonte me motrën e tij, Majlindën. Në maj, gjatë pandemisë COVID-19, ai u shtrua në spital. Sipas rrëfimit të motrës, ajo mori një telefonatë shqetësuese nga i vëllai, i cili i kërkonte të shkonte menjëherë në spital, pasi pretendonte se jeta e tij ishte në rrezik. Kur ajo mbërriti, Saimiri kishte ndërruar jetë. Data e vdekjes ishte 9 maji, pikërisht ditëlindja e saj.

Dyshimet u shtuan pas zbulimit se zemra mungonte nga trupi i të riut. Sipas familjarëve, ekzaminimet nuk kishin dhënë shpjegime të qarta për mënyrën se si ishte hequr organi.

Ndërsa hetimet në Barcelonë janë mbyllur pa u konstatuar shkelje, në Shqipëri Prokuroria e Tiranës vijon të ketë të hapur një çështje që lidhet me dyshimet për trafikim organesh. Megjithatë, sipas investigimit, ende nuk janë administruar 14 prova të kërkuara, përfshirë pamjet filmike të spitalit, dëshmitë e mjekëve dhe dokumentacionin e autopsisë së parë.

Një tjetër element që ka shtuar misterin lidhet me një zemër të mbërritur në Shqipëri në korrik të vitit 2023. Në dokumentacionin shoqërues, data e vdekjes së personit të cilit i përkiste organi rezultonte 22 prill 2020, ndërsa Saimir Sula kishte ndërruar jetë më 9 maj. Deri më tani, identifikimi përmes analizës së ADN-së nuk është realizuar për shkak të vështirësive teknike.

Avokati i familjes, Carlos Sardinero, ngre dyshime për mënyrën e ruajtjes dhe administrimit të organit, duke pretenduar se këto procedura kanë vështirësuar identifikimin. Ai gjithashtu vë në pikëpyetje mënyrën se si zemra është hequr nga trupi pa u informuar ekspertët shqiptarë.

Ndërkohë, raportet e ekzaminimeve të kryera në Barcelonë, Tiranë dhe Bruksel përmbajnë, sipas avokatit, mospërputhje lidhur me gjendjen shëndetësore të të riut dhe shkakun e vdekjes.

Nga ana tjetër, spitali ku ishte trajtuar Saimir Sula deklaron se ka bashkëpunuar me autoritetet spanjolle dhe se procedurat gjyqësore në Spanjë janë mbyllur në të gjitha shkallët. Edhe Ministria spanjolle e Drejtësisë ka bërë me dije se kërkesat e mbërritura nga Shqipëria janë vënë në dispozicion.

Në qendër të përpjekjeve për zbardhjen e çështjes mbetet motra e viktimës, Majlinda Sula, e cila kërkon ndërhyrjen e autoriteteve spanjolle, përfshirë ministrin e Drejtësisë dhe kryeministrin Pedro Sánchez, për të marrë në pyetje mjekët dhe për të mundësuar identifikimin e organit.

“Vetëm ADN-ja mund të verifikojë nëse është zemra e tij apo jo”, shprehet ajo, duke këmbëngulur se familja ende nuk ka marrë përgjigje për atë që ndodhi me të vëllanë.