Ish-kryeministri Sali Berisha është i detyruar të paraqitet nesër në orën 10:00 në SPAK për të respektuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” të vendosur ndaj tij për çështjen e aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Pas vendimit të formës së prerë të Apelit, Berisha ka deklaruar se do të respektojë masën, megjithëse e ka sulmuar drejtësinë dhe ka pohuar se çështjen do ta dërgojë në Strasburg.

Sidoqoftë, sipas burimeve Berisha ka refuzuar të firmosë marrjen e dijes për vendimin, kur Policia e Tiranës i shkoi në banesë t’ia komunikonte, një procedurë që e informon të pandehurin për detyrimin e tij për t’u paraqitur në SPAK dy herë në muaj.

Pritet të shihet nëse Berisha do të paraqitet para SPAK-ut, ndërsa ai ka mobilizuar strukturat e PD-së për të organizuar një protestë përpara SPAK, duke e quajtur atë si “vegël në duar të Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë”.

Berisha është i pandehur për dosjen “Partizani”, ku akuzohet për ndihmën në privatizimin e ish-kompleksit sportiv që çoi në ndërtimin e 19 kullave. Ndër të pandehurit janë edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe disa persona të tjerë të lidhur me operacionet financiare dhe ligjore të projektit.