Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha duket se ka vendosur të lërë pas të gjitha mosmarrëveshjet brenda kampit opozitar, për hir të zgjedhjeve.

Ish-kryeministri, në komunikimin e përjavshëm me gazetarët të zhvilluar sot, u ka lëshuar një thirrje partive të vogla opozitare që t’i bashkohen Partisë Demokratike. Pa përmendur emra konkretë, Berisha tha se pavarësisht kundërshtive, bashkimi është e vetmja rrugë.

Kështu, Berisha lë të hapur mundësinë për të bërë paqe edhe me Lulzim Bashën, apo edhe Enkelejd Alibeajn.

“Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara. Sepse ky bashkim ka një rëndësi vendimtare.

Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës. Lërini problemet me njëri-tjetrin”, tha Berisha.