Një tjetër deputetë e PD-së i është bashkuar “Foltores” së Sali Berishës, duke e çuar në dhjetë numri e ligjvënësve të selisë blu që e tradhtojnë Lulzim Bashën.

Deputetja Sorina Koti, u shfaq sot në “Foltoren” e ish-kryeministrit në

Korçë, bashkë me deputetin Edmond Spaho. Koti aktualisht është Nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, si përfaqësuese e PD.

“Është vërtetë pikë shumë e vështirë, po ju kërkoj ju si themelues i Partisë Demokratike, si një nga njerëzit që e keni udhëhequr këtë forcë, ju kërkoj të gjejmë një rrugëzgjidhje, një mënyrë për ta kthyer Partinë Demokratike në forcën e saj. Forca jonë është bashkimi, faleminderit doktor”- tha Koti.

Nga ana tjetër, Berisha ka joshur në mënyrë të tërthortë edhe një tjetër deputet, që në zgjedhje e fundit kandidoi për kryetar të PD-së, Agron Shehun. Sipas Berishës, pasi u votua nga 20% e anëtarësisë, ai duhet të ishte në kryesi, sipas ish-kryetarit të PD-së.

Deputetët që tradhtuan Bashën

Deputeti i parafundit që iu bashkua “Foltores” së Berishës në Elbasan ishte Luçiano Boçi. Ai e ka pritur ish liderin e partisë në derën e teatrit të qytetit dhe është ulur në radhën e parë gjatë bashkëbisedimit të tij me demokratët e qytetit.

Besnikërinë ndaj Berishës e konfirmoi pak ditë më parë deputeti i Korçës, Edmond Spaho, i cili foli publikisht për bunkerizimin e PD-së. Spaho kërkoi hapje të Partisë dhe dëgjimin e antarësisë si rruga e vetme për të dalë nga kriza.

Para tij ishte Oerd Bylykbashi që u shfaq në takimin e Foltores në Durrës, duke dalë publikisht në krah të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha. Në një status në Facebook, Bylykbashi sqaroi: Demokracia nuk mund të jetë ajo që mendon dhe vendos një individ për llogarinë e tij.

Në Vlorë, ishte drejtuesi i qarkut, Bujar Leskaj që iu bashkua Foltores së Berishës. Leskaj nuk foli për mediat, por me praninë e tij në takim, u duk se e dha mesazhin për Lulzim Bashën, me të cilin kishte pasur pakënaqësi për listën e kandidatëve para zgjedhjeve.

Në Fier, ishte Luan Baçi që u bë pjesë e Foltores së Sali Berishës, që lëshoi akuzat e forta për kryetarin aktual, Lulzim Basha nën ovacionet e militantëve demokratë. Pas takimit, Baçi tha: “Veprova në atë mënyrë, do të veproja 100 herë ashtu po të kthehesha mbrapa. Kjo solli rezultat pozitiv. Baza në Fier, njerëzit nuk janë dele për të qenë në rresht”.

Pas përjashtimit të Berishës nga grupi, dy deputetët më të vendosur për t’i dalë në krah atij, ishin Edi Paloka dhe Flamur Noka. Të dy këta e pritën poshtë shtëpisë Berishën, një ditë pas vendimit, duke dhënë mesazhin se do të qëndronin krah tij. Pak orë më pas përjashtimit, Berishës iu bashkua edhe Tritan Shehu që e shoqëroi atë edhe në Gjirokastër.