Aktivisti dhe studenti Oresti Berberi i ka bërë thirrje publike kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të largohet nga drejtimi i partisë dhe t’u hapë rrugën figurave të reja në politikë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berberi shprehet se studentët nuk duan as kryeministrin Edi Rama dhe as kreun e opozitës. Sipas tij, qëndrimi i Berishës në krye të PD-së pengon krijimin e një alternative të re qeverisëse dhe, në të njëjtën kohë, i shërben vazhdimit të pushtetit të Ramës.

Aktivisti kritikon gjithashtu mënyrën se si organizohet opozita, duke theksuar se përballja me qeverinë duhet të zhvillohet në shesh, përmes protestave, dhe jo me deklarata përmes videove nga selia e partisë.

Berberi pretendon se drejtimi i PD-së nga Berisha lidhet me interesa personale dhe familjare, ndërsa kërkon një ndryshim të qasjes politike dhe hapësirë për brezin e ri.

Në përfundim, ai i bën thirrje Berishës të tërhiqet, duke argumentuar se Shqipëria ka nevojë për një alternativë të re politike, që të mos përsërisë modelin e klasës politike të 35 viteve të fundit.