Teksa kolegët e tij festuan 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në selinë blu, Salianji vijoi takimet me strukturat e partisë.
Sot ai u gjend në Gjirokastër, ku vijoi deklaratat se PD ka nevojë për reformim pasi problemi i brendshëm është i pakapërcyer. Gjatë fjalës së tij, Salianji tha se tashmë pas 7 muajsh nga zgjedhjet parlamentare, PD nuk mund të rrijë të ngroh karriget dhe të mos flas për probleme.
“Edi Ramën ne duhet ta mundim dhe mund ta mundim. Por nuk mund të rrimë edhe 7 muaj pas zgjedhjeve për të ngrohur karriget tona dhe të mos flasim për disa probleme. Problemi i brendshëm është i pakapërcyer. Në këtë periudhë nuk ka ndryshuar gjë. Për vite të tëra kemi qenë parti që reagon, por parti që kujton të shkuarën duket shpeshherë. Vendi ka nevojë për energji të reja dhe njerëz që kanë marrë votëbesimin e qytetarëve.
Është e vështirë që një parti politike të fitojë pa pasur të vërtetën dhe moralin me vete dhe kjo është e vërteta jonë. Edi Rama këtë nuk mund ta mundë dot. Është e vështirë që një parti politike të fitojë nëse nuk ndryshon gjuhën politike të drejtimit. Shqiptarët kërkojnë ndryshim real që vetëm PD mund ta sjellë”, tha ai.





