Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar sot pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në 5 bashkitë e vendit, ku maxhoranca i fitoi ato thellësisht përballë kandidatëve të pavarur të mbështetur nga opozita.

Përmes një reagimi në facebook, Salianji shpreh zhgënjimin e tij pasi PD nuk hyri në zgjedhjet e 9 nëntorit në garë me kandidatët e saj, por zgjodhi rehatinë në vend të përballjes.

“Me dhimbje duhet ta pranojmë që prej zgjedhjeve të 11 Majit e deri sot nuk jemi në rrugën e duhur; Partia Demokratike ka humbur pasionin dhe zemrën për të luftuar, për të bërë betejë, për të lexuar drejt shpresat dhe zhgënjimet e qytetarëve. Por personalisht ndjehem i ligështuar që, pavarësisht kapaciteteve, opozita zgjodhi rehatinë në vend të përballjes, paqen në vend të luftës, qetësinë në vend të angazhimit.”, shkruan Salianji ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

E djeshmja ishte nje ditë e zeze për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Qytetarët treguan se nuk kanë më besim se me voten e tyre mund te ndryshojnë diçka në qytetet ku jetojnë . Për shkak të korrupsionit të larte të qeverisë, për shkak se Rama ka perqendruar të gjithe pushtetin në një dore të vetme, asnjë qytetar pa interesa nuk mendoi se kryetaret e bashkive apo qeverisja lokale ka ndonjë rëndësi për ta.

Fakti se kjo qeveri me fakte është qeveri që manipulon dhe vjedh votat por dhe opozita ka këtë narrativë, kjo ul ndjeshëm besimin se ne këtë vend ka garë, prandaj dhe qytetaret i bojkotuan zgjedhjet.

Gjithsesi kjo është gjendje që i intereson qeverisë të korruptuar të Edi Ramës. Sa më pak qytetarë votojnë, sa me pak ata besojne te institucionet, aq më të lehte e ka ajo te vjedh parate e tyre.

Detyra jone si opozite është ta ndryshojmë këtë apati eshe opozitare që dëmton të ardhmen e Shqiperisë dhe është premisë për kohëzgjatjen e automracisë. Fakti që me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira nuk duhet te bëjë apatike Partinë Demokratike, përkundrazi duhet të na bëjë të angazhohemi edhe më shumë. Është detyra e Partisë Demokratike , të riktheje besimin te qytetarët

Me dhimbje duhet ta pranojmë që prej zgjedhjeve të 11 Majit e deri sot nuk jemi në rrugën e duhur; Partia Demokratike ka humbur pasionin dhe zemrën për të luftuar, për të bërë betejë, për të lexuar drejt shpresat dhe zhgënjimet e qytetarëve.

Qytetarët, demokratët e opozitarët që luftuan në këto zgjedhje meritojnë përgëzime për angazhimin dhe kurajën e tyre.

Por personalisht ndjehem i ligështuar që, pavarësisht kapaciteteve, opozita zgjodhi rehatinë në vend të përballjes, paqen në vend të luftës, qetësinë në vend të angazhimit.

Mijëra demokratë sot na gjykojnë me të drejtë.

Miliona shqiptarë na gjykojnë jo vetëm për pafuqinë, por edhe për vendimet e gabuara strategjike, që e kanë lënë vendin në duart e një autokrati që luan me jetët e njerëzve si t’i teket.

Shqiptarët ndjejnë përditë dhunën, represionin, arrogancën, korrupsionin masiv, prepotencën, gjobat, shembjet dhe burgosjet.

Ka ardhur koha të ndryshojmë! Mundësisht sot, jo nesër!

Raporti i OSCE-ODIHR doli, afera në Llogara tregoi korrupsionin gjigand, dhe mosdalja e qytetarëve në votim është një mesazh i qartë:

Partia Demokratike duhet të ndryshojë, ne duhet ta lexojmë, ta themi e më pas të ndryshojmë realitetin!

Çdo orë e vonuar është karburant për autokratin.