Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, shprehu kritika të forta në lidhje me zhvillimin e mbledhjeve të Kryesisë së PD-së gjatë takimit të tretë të “Foltores”, që u zhvillua pasditen e sotme në Elbasan. Ai e cilësoi mbledhjen e fundit të Kryesisë si një “4 orë gjyq për mua dhe për ju  dhe 15 minuta gjyq për Ramën e Ballukun.”, duke theksuar se diskutimet brenda organit të lartë të partisë janë shndërruar në një proces gjyqësor për ata që kanë mendime të ndryshme nga drejtuesit e partisë.

Salianji theksoi se mbledhjet e Kryesisë nuk janë më një hapësirë për diskutime dhe propozime konstruktive mbi strategjitë opozitare, por janë bërë një arenë ku anëtarët që kërkojnë ndryshime brenda partisë janë përballur me akuza dhe kritika të ashpra. Ai shtoi se kjo ka penguar zhvillimin e një plani të unifikuar për të sfiduar qeverinë e Edi Ramës dhe për të organizuar aksione më të koordinuara opozitare.

“Në datën 22 dhjetor, e gjithë energjia e kësaj salle dhe e sallave në çdo cep të Shqipërisë duhet të përplaset para mureve të Kryeministrisë”,- tha Salianji.

Salianji zhvilloi sot në Elbasan takimin e tretë të Foltores, të nisur fillimisht në Durrës e të vijuar në Gjirokastër. Edhe ky takim i Salianjit me demokratë të zhgënjyer, mblodhi në Teatrin “Skampa” shumë anëtarë të Partisë Demokratike, së Degës Elbasan.