Analisti Spartak Ngjela, duke folur në “Shqipëria live” për dënimin e Ervin Salianjit, me vendim të Gjykatës së Apelit, u shpreh se deputeti duhet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë.

“Nuk ishte i pafajshëm, ishte kudër regjimit. Është ligji i shtrembër, nuk ka faj gjykata. Unë nuk jam dakord me ligjin, por jo me ata. Duhet të vejë në Gjykatë të Lartë. Por vendimi hyn në formë të prerë edhe në këto momente. Ka 40 ditë kohë që ta kalojë në Gjykatë të Lartë“, tha Ngjela.

Duke komentuar propozimin e bërë në Grupin Parlamentar të PD-së për ngujim në seli, Ngjela e konsideroi ide të gabuar. “Nëse nuk dorëzohet, i shtohet një tjetër vepër penale“, tha ai.

Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për deputetin Ervin Salianji, duke e dënuar me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Apeli pranoi një kërkesë të avokatëve të Geron Xhafës për të marrë si provë një vendim për pushimin e hetimeve të dhënë nga gjykata e krimeve të rënda për klientin e tyre, por pas tërheqjes për shqyrtim, trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke e dënuar me burg.