Xhaxhai i Aleks Nikës ka folur për media, teksa sot mbushen 14 vite nga vrasja e 4 protestuesve më 21 janar të vitit 2011.
Ai ka bërë thirrje që vrasja të zbardhet, teksa ka hedhur akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të brendshëm në atë kohë, Lulzim Basha.
“Në denoncim kemi thënë si organizatë kriminale. Ish-kryeministri, ish-ministri kanë dhënë urdhër, janë përgjegjësi për vrasjet. I kanë pranuar vetë si Saliu dhe Basha, thanë ne i vramë dhe i vrasim sërish. Të vijnë dhe të japin përgjigje. Duam të dimë kush i vrau dhe pse i vrau. Kërkojmë drejtësi. Është dëm i madh familjar që na është bërë. Me Aleksin e kanë mbyllur derën e shtëpisë”- thekson Mark Nika.
Nga vrasja e katër demostruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre, të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, për të cilët drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për vrasje nga pakujdesia. Ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Por të gjithë familjarët e katër viktimave kërkojnë që tanimë hetimit të zbulojë edhe funksionarët që urdhëruan për tu qëlluar me armë zjarri.