Më 3 shtator, Shqipëria ndaloi importin e mishit të gjedhit të shpendëve nga Brazilit, pas vendimit të BE që e cilëson mishin si produkt të pasigurt pasi dyshohet se tek kafshët e gjallë injektohen antibiotikë të ndaluar BE. Por mishi i importuar nga Brazili nuk është i rrezikshëm vetëm për praninë e antibiotikëve të ndaluar, por edhe për kontaminimin me baktere.
Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjatë viteve 2025, identifikuan rreth 14.8 tonë mish pule dhe derri me salmonelë, ku një pjesë e sasisë e mishit helmues u konsumua nga shqiptarët. Rasti më shqetësues lidhet me një ngarkesë prej 10 mijë e 272 kilogramësh, ose 10.27 tonë fileto pule “Copacol”, ku analizat konstatuan praninë e Salmonella Typhimurium.
Kur inspektorët e AKU-së ndërhynë, 8 mijë e 949 kilogramë, ose rreth 8.95 tonë, u gjetën ende në subjekt dhe u bllokuan. Por 1 mijë e 322 kilogramë, ose rreth 1.32 tonë fileto pule, rezultonin se ishin shitur te konsumatorët. Sasia e bllokuar dhe produktet e kthyera nga tregu u dërguan për asgjësim. Një tjetër rast u evidentua me mishin e derrit. Në 2025 inspektorët konstatuan 4 mijë e 516 kilogramë, ose rreth 4.52 tonë fileto derri të ngrirë, të kontaminuar me bakterin salmonellë. Ndryshe nga rasti i mishit të pulës, e gjithë sasia ndodhej ende në magazinën frigoriferike të subjektit dhe nuk ishte shpërndarë në treg. AKU e bllokoi produktin dhe më pas e asgjësoi. Në vitin 2025, AKU raporton se ka marrë 17 mostra mish pule dhe 8 mostra mish derri.
Në këtë listë nuk rezulton asnjë mostër e mishit të gjedhit me origjinë nga Brazili. Kjo ngre pikëpyetje mbi nivelin e kontrollit laboratorik të mishit të gjedhit të importuar nga Brazili, në një kohë kur siguria e produkteve shtazore që vijnë nga ky vend është vendosur nën një vëmendje të shtuar edhe nga autoritetet europiane, të cilët i kanë ngritur karton e kuq të importit, për një afat të pacaktuar, pasi dyshohet se tek kafshët janë përdorur medikamente veterinare të ndaluara./ Top Channel
