Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, foli në Samitin Ekonomik Shqipëri-Turqi për bashkëpunimet ekonomike mes dy vendeve.
Ajo u shpreh se partneriteti mes Shqipërisë dhe Turqisë është ndërtuar mbi besimin e ndërsjellët e vizionin e përbashkët për zhvillim.
Ndër të tjera Balluku tha se vendi ynë ka një treg dinamik që sjell me vete avantazhe të pakrahasueshme për të gjithë ata që investojnë paratë.
“Të cilët besoj që këtu duhet të ndiheni në shtëpinë tuaj, ashtu si çdo herë një shqiptar ndihet kur shkel kufirin për të kaluar dhe për t’u futur në Turqi.
Ne shqiptarët kemi një histori të lashtë, jemi autoktonë në vendin tonë. Kemi kaluar shumë, por diçka nuk ka ndryshuar kurrë, që gjithmonë me vëllezërit tanë turq kemi ecur krah për krah dhe gjithmonë i kemi hapur njëri-tjetrit dyert e shtëpive, por dhe të zemrave tona dhe mbi të gjitha nuk i kemi paragjykuar kurrë zakonet, traditat dhe besimin e njëri-tjetrit.
Ndaj sot në këtë sallë ndihem më mirë se kudo, pasi ndihem e mirëpritur në një bashkësi investitorësh, ku me shumë mjeshtëri AIDA dhe ekuivalenti i saj, MUSIAD e nisën me dy video shumë të ngrohta. Po diskutoja me kolegen time, ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibraimin se sa bukur ishin të dyja videot dhe kush nga të dyja nxirrte më në pah atë që në të vërtetë Shqipëria dhe Turqia kanë ndërtuar në shekuj.
Ju uroj mirëseardhjen dhe ju siguroj, veçanërisht ata që kanë vizituar për herë të parë Tiranën, që duhet të jenë pak ndër ju, që në këto pak ditë që do që të qëndroni në Tiranë apo do të vizitoni Shqipërinë, padyshim do të bini dashuri me këtë vend dhe do ta keni të vështirë që të shkëputeni.
Ky Samit Ekonomik është jo vetëm një platformë për të diskutuar mbi investimet, por dhe një pasqyrë e gjallë e marrëdhënieve të ngushta dhe të qëndrueshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Turqisë. Partneriteti mes Shqipërisë dhe Turqisë është ndërtuar mbi besimin e ndërsjellët dhe vizionin e përbashkët për zhvillim dhe stabilitet në rajon.
Sot jam këtu për të forcuar më tej këto ura bashkëpunimi, për të eksploruar mundësi të reja investimi dhe për t’i dhënë një impuls të ri marrëdhënieve tona ekonomike. Arsyet përse një sipërmarrje turke duhet të vijë për të investuar në Shqipëri padashur që ta blasfemoj historinë me këtë krahasim timin, nuk ka ndryshuar shumë nga arsyet përse Bajaziti, Murati apo Mehmet Fatih donin të instaloheshin në Shqipëri. Shqipëria ka një treg dinamik që sjell me vete avantazhe të pakrahasueshme për të gjithë ata që investojnë paratë në këto 28 mijë kilometra katrorë. Ne jemi një vend i vogël me hartë, me sipërfaqe, por i madh në mundësi.
Siç shkruan edhe Hurriyet, Shqipëria është shumë më shumë se një destinacion plazhesh, është një destinacion i ri biznesi, por bizneset turke, investitorët turk këtë e kanë zbuluar në rastin më të parë që Shqipëria hapi dyert në fillimin e ’90-ës. Ne jemi një vend me një kuadër fiskal ndër më të favorshmit në Europë, me përfitime shtesë për të gjithë investitorët e huaj apo sektorë të ri, si turizmi, energjia, teknologjia, bujqësia dhe industria, ku aplikohen përjashtime nga taksat apo lehtësira të tjera tatimore. Për shembull, në sektorin e IT-së apo prodhimit të software, Shqipëria aplikon 5% taksë mbi fitimin ose përjashtim 15-vjeçar nga taksa për bizneset e shtrira në parqe teknologjike apo ato shkencore. Në bujqësi dhe agroturizëm aplikohet 5% tatim të paktën deri në vitin 2029. Industria automotive përsëri 5% fitim deri në fund të 2029.
Turizmi është një sektor ku me shumë përpjekje ne po ecim në hapat që Turqia ka hedhur 20 vite përpara nesh, duke tërhequr markat elitare dhe duke inkurajuar brandet dhe emrat më të mëdhenj të botës. Për të gjithë ata sipërmarrës që duan të replikojnë këtë histori suksesi, duke sjellë brande me katër apo pesë yje në Shqipëri, përjashtohen dhjetë vjet nga tatimi mbi fitimin dhe taksat vendore. Kinematografia, pjesë e një tjetër procesi, gjithmonë edhe më të fuqishëm të Turqisë moderne apo fondet e pensioneve janë të përjashtuar plotësisht nga taksat. Më kujtohet një blog, i cili tregonte se disa prej aktorëve më të famshëm në Turqi janë pjesë e atij komuniteti prej gati 5 milionë qytetarësh që kanë një prejardhje apo origjinë nga toka shqiptare. I kemi të gjithë mundësitë që Ezeli i ri, Bihteri e pikëlluar, në kërkim të pasionit të humbur apo shokët e Sulejmanit të Madhërishëm, të flasin shqip.
I nderuar Zëvendëspresident, të siguroj që të gjithë shqiptarët që ndodhen në këtë sallë e kanë parë serialin e Sulejmanit të Madhërishëm pa humbur as edhe një seri, por jo vetëm atë, edhe Kosemin dhe gjithë tjerët dhe e kam bërë edhe unë që ta dini. Ka qenë një nga pjesët më të bukura të argëtimit, sepse mësonte historinë për më tepër.
Sa i përket kinematografisë, pak muaj më parë një delegacion nga Hollivudi erdhi për të zbuluar sheshet e reja të xhirimit në Shqipëri. Nuk ka asnjë arsye pse të mos jenë këto edhe sheshet tona të përbashkëta në një epokë të re bashkëpunimi, ku Shqipëria si vend europian dhe Turqia si një superfuqi rajonale, të lidhura në një marrëdhënie të fuqishme strategjike dhe një histori të pashembull miqësie, të kenë mundësi të ngrihen në lartësinë e pritshmërive që deri dje ishin vetëm pjellë e imagjinatës.
Të nderuar investitorë, për të gjitha këto arsye e shumë të tjera që janë pjesë e paneleve të këtij forumi unik diskutimesh i drejtohem të gjithë atyre që kanë ardhur në këtë takim me ‘defter’ në dorë, investoni tani! Nuk do të bëheni pishman, siç e themi edhe në shqip, duke përdorur një nga fjalët e shumta turke. Edhe vetë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pak ditë më parë në Shqipëri i bëri thirrje të gjithë investitorëve europian që sot është koha për të investuar në Shqipëri. Por, siç e thashë dhe në fillim të fjalës time, investitorët turq, vëllezërit tanë, e kanë zbuluar Shqipërinë si një vend i leverdisshëm për të investuar, si një vend miqësor për të investuar, si një vend me incentiva fiskal për të investuar, si një vend ku transparenca dhe drejtësia mbizotërojnë prej vitesh. Ndaj, tashmë nuk vlen një thirrje për t’u thënë, hajdeni dhe investoni, por tashmë thirrja është investoni më shumë në Shqipëri. Bëhuni një pjesë e një armate në rritje kompanish dhe sipërmarrjesh turke që në Shqipëri jo vetëm kanë siguruar përfitime të mëdha nga fusha e energjisë, tek mineralet, ndërtimi, sistemi bankar, telekomunikacioni, manifaktura e gjithmonë më shumë turizmi, por që kanë shndërruar vendin tonë në bazën nga ku ka nisur zgjerimi i tyre nëpër botë.
Investoni jo si një gjest solidariteti, ashtu siç e keni bërë në vitet e para të demokracisë në këtë vend, aq më pak si një akt bamirësie, por si veprimi më i zgjuar që dikush si ju mund të bëjë sot për të rritur më tej biznesin e tij. Ne besojmë se Shqipëria dhe Turqia nuk janë vetëm një lajm i mirë, Shqipëria dhe Turqia janë një lajm i mirë për të gjithë rajonin dhe të gjithë Evropën tashmë. Prandaj, oguri dhe simboli domethënës i mbajtjes së forumit të NATO-s në 2026 në Turqi dhe në 2027 për herë të parë ndonjëherë në Shqipëri kam bindjen që përmes krijimit të një hapësire të re sigurie do të nxisë një rritje ekspansionale të bashkëpunimit mes nesh.
Shqipëria si një konsumatore e përhershme e mallrave turke i përket asaj pjese gjithmonë e më të madhe të botës, të magjepsur nga dronët bajraktarë, përforcimi më i fundit i ushtrisë tonë dhe duhet të nënvizoj që përdorimi i dronëve bajraktarë në Shqipëri nuk ka vetëm përdorim ushtarak. Ne kemi përfituar nga kjo marrëveshje, kemi përfituar nga kjo teknologji e re për t’i përdorur dronët bajraktarë në një sërë sektorësh të tjerë nga emergjencat civile, tek bujqësia dhe padyshim infrastruktura kritike dhe turizmi. Ai që sot është produkti më i kërkuar ushtarak në rang botëror, lindi dje si fryt i vizionit të një njeriu të vetëm që nisi kompaninë e tij të pjesëve të këmbimit me një ‘matrapik’ të vetëm, ashtu siç na ka treguar.
Idetë e mira, historitë e suksesit fshihen edhe këtu midis jush. Prandaj, dua t’ju siguroj në mbyllje se Qeveria Shqiptare nuk është thjesht një mike e mirë, por një partnere direkte dhe e kudo ndodhur për t’i dëgjuar dhe për t’i mbështetur dhe për t’i multiplikuar ata bajraktarë, të suksesshëm që biznesi shqiptaro-turk ka ngritur vit pas viti. Shumë faleminderit dhe uroj që kjo ditë të jetë e frytshme dhe me sa më shumë sukses!”, tha Balluku,