Të parët që u larguan nga Tirana pas përfundimit të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian ishin presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan dhe kryeministri i Lituanisë, Gintautas Paluckas. Pas tyre, kryeqytetin e lanë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Samiti, i cili për herë të parë u zhvillua në Shqipëri, mblodhi mbi 40 liderë evropianë në Tiranë, në një ngjarje të konsideruar si historike për vendin dhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Diskutimet u përqendruan në çështje të sigurisë, luftës në Ukrainë, energjisë, emigracionit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian.
Për Shqipërinë, mikpritja e këtij samiti është parë si një moment kyç për të forcuar profilin e saj ndërkombëtar dhe për të treguar përkushtimin ndaj vlerave perëndimore dhe rrugës drejt integrimit evropian. Masat e sigurisë në kryeqytet ishin maksimale, ndërsa pjesëmarrja e liderëve më të rëndësishëm të kontinentit u konsiderua si një sinjal i qartë i mbështetjes për vendin dhe për rajonin në tërësi.
