“Shefqet Ndroqi”
Spitali universitar “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si sanatoriumi i Tiranës, ofron tashmë shërbime shëndetësore për të gjitha llojet e sëmundjeve dhe jo vetëm për problemet e mushkërive, siç ka funksionuar deri pak kohë më parë. Tanimë, pacientët me probleme kardiake, gastrointestinale, infektive apo ata që kanë nevojë për skaner dhe kirurgji të përgjithshme nuk kanë pse mbajnë radhë në QSUT, e cila është e mbingarkuar, por mund të marrin shërbim të specializuar nga mjekët e ish-sanatoriumit. “Spitali ynë po merr përmasat e një QSUT-je të vogël. Kjo do të thotë se këtu bëhen konsulta jo vetëm për sëmundjet e mushkërive, por edhe për ato kardiovaskulare, hematologjike, të veshkave etj. Për gjashtëmujorin e parë të 2015-s, numri i konsultave është rritur me 78 për qind. Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat që në shtator të fillojë edhe shërbimi i kardiologjisë”, deklaron profesor doktor Perlat Kapisyzi, drejtor i spitalit.