Kryeministri Edi Rama është duke marrë pjesë në samitin “Mbrojtja e Demokracisë” organizuar prej kryeministrit të Spanjës, Pedro Sánchez dhe presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.

Në këtë samit në Barcelonë janë mbledhur udhëheqësit e së majtës globale me synimin për të mobilizuar lëvizjet e majta kundër së djathtës ekstreme. Rama ka ndarë edhe pamje nga takimi me homologun Sanchez, për të cilin shkruan “Barcelonë, me kryeministrin Pedro Sánchez, një udhëheqës i mençur e kurajoz dhe një mik i vyer me të cilin është privilegj të bashkëbisedosh”.

Agjencia Reuters thotë se këto takime vijnë në një kohë kur shkurtimet e shpejta të ndihmës humanitare nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, ndërhyrjet ushtarake dhe kërcënimet për t’u tërhequr nga NATO, kanë tronditur status quo-në e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kanë nxitur një rishikim të aleancave globale.

Të nxitura si një “zgjim” për socialistët evropianë pas rritjes të së djathtës ekstreme në zgjedhjet e BE-së në vitin 2024, synimi i të ashtuquajturës “Mobilizimi Global Progresist” është të mobilizojë mbështetësit e ideve të majta, duke kulmuar me një deklaratë për veprime të përbashkëta mbi objektiva që variojnë nga mbrojtja e demokracisë deri te tranzicioni i gjelbër.

Samiti në “Në mbrojtje të demokracisë”, organizohet nga qeveria spanjolle dhe është edicioni i katërt i nisur nga Lula de Silva dhe Sánchez në vitin 2024, ku marrin pjesë 3,000 të ftuar, përfshirë krerë aktualë dhe ish-krerë shtetesh, rreth 400 kryetarë bashkish, sindikata, aktivistë dhe parti politike.

Të dy liderët janë kritikë të zëshëm të administratës Trump me Sánchez, që ka qenë veçanërisht i drejtpërdrejtë për luftën në Iran dhe të dy përballen me sfida në rritje nga e djathta ekstreme në garat e ardhshme zgjedhore.

E djathta ekstreme në Evropë humbi një nga mbështetësit e saj më të mëdhenj me humbjen e liderit nacionalist të Hungarisë, Viktor Orbán, në zgjedhjet e së dielës. Sánchez e ka përshëndetur këtë, duke thënë se “vala mund të ndalet dhe Hungaria e dëshmon këtë”.