Të tjera detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi dy ditë më parë në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja, teksa ishte në krye të detyrës.
Një nga dëshmitarët kyç të kësaj ngjarjeje është Ervis Kurtaj, i cili së bashku me babain e tij, Rakip Kurtaj të dy të plagosur gjatë atentatit ndodheshin në sallën e gjyqit si palë në një proces ku përballeshin me familjen Shkambi.
Sipas dëshmisë së Ervisit, vrasja ndodhi menjëherë pasi gjyqtari Kalaja shpalli vendimin në favor të tyre. “Sapo dëgjova të shtënat, kapa babin nga dora dhe nisa të largohem drejt korridorit. Kur po kalonim derën e sallës, Elvisi u kthye dhe qëlloi drejt nesh,” shtoi Kurtaj.
Kurtaj shton se, sapo dëgjoi të shtënat, u përpoq të largohej me babain e tij drejt korridorit të gjykatës, por autori u kthye dhe qëlloi edhe drejt tyre. Të dy mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku morën ndihmë mjekësore dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.