Dy nga të helmuarat ndodhen në Spitalin Ushtarak, ndërsa e treta është dërguar drejt Greqisë


Tri vajza të reja kanë tentuar që t’i japin fund jetës në Sarandë gjatë 24 orëve të fundit. Burime nga Policia e Sarandës bëjnë të ditur se janë paraqitur tre raste në spitalin e qytetit, të cilët kanë tentuar t’i japin fund jetës, duke u vetëhelmuar me ilaçe të ndryshme. Sipas të dhënave zyrtare, përkatësisht shtetasja Esmeralda Telo, 28 vjeçe, nga fshati Çukë ka konsumuar 30 aspirina, ndërkohë që Polikseni Mërkuri, 28 vjeçe, nga fshati Pilur, ka konsumuar po antibiotikë, por me një dozë më të madhe, 50 të tilla. Ndërkaq, të njëjtën tentativë ka bërë një shtetase tjetër, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, po mësohet se edhe ajo ka konsumuar barna mbi normat e lejuara. Telo mësohet se është dërguar për mjekim në Janinë, ndërsa Mërkuri dhe vajza e tretë janë dërguar për mjekim në spitalin e Tiranës, ku kjo e fundit ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Policia tha se me të marrë njoftim, për secilin rast ka nisur hetimet, ku mendohet se vajzat e reja kanë tentuar t’i japin fund jetës, por nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë gabimi në përdorimin e ilaçeve nga ana e tyre. Burimet policore thanë se specialistët kanë kontaktuar me familjarët e vajzave, por ata nuk kanë dhënë dot ndonjë shpjegim, pasi nuk dinin ndonjë problem të tyre, që mund t’i ketë çuar drejt aktit të vetëflijimit. Megjithatë, për policinë është shqetësues fenomeni i rikthyer i vetëvrasjeve. E njëjta situatë shqetësuese paraqitet pothuajse në të gjithë vendin, e në mënyrë të veçantë në Qarkun e Korçës, ku sipas statistikave zyrtare nga policia e qarkut juglindor, janë regjistruar 13 raste vetëm gjatë këtij viti. Mjekët psikiatër në Korçë e cilësojnë tepër alarmante këtë shifër vetëvrasjesh. Psikologët shprehen se janë disa faktorë që ndikojnë tek personat që ndërmarrin aktin fatal, ku ndër to dominojnë shkaqet ekonomike dhe gjendjet depresive.