Qytetarët janë kthyer sërish në protestë në Zvërnec, zonën ku parashikohet të ndërtohet resorti nga dy vëllezërit Al-Khayyat nga Katari. Report Tv po ndjek nga afër protestën-marshim të qytetarëve të cilët janë mbledhur në plazhin e Dajlanit, në një protestë sensibilizuese për të mbrojtur zonën e mbrojtur.
Dhjetëra qytetarë u rreshtuan në bregun e detit duke formuar me trupat e tyre fjalën “SAVE NARTA”, një protestë simbolike për mbrojtjen e lagunës dhe kundërshtimin e projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në zonë.
Me thirrjet “anulo projektin”, apo “Edi Rama dorëhiqu”, “Narta është e jona”, “Larg duart nga Zvërneci” protestuesit kërkojnë mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit dhe identitetit të zonës së Nartës e Zvërnecit.
Flamingoja është kthyer në simbol të kësaj proteste qytetare. Për shumë prej tyre, beteja nuk është vetëm për një copë tokë, por për të mbrojtur një nga ekosistemet më të rralla të vendit e prandaj bëjnë thirrje që të anulohet projekti.
