Deputeti demokrat, Arjan Ndoji, ka mbajtur dje një fjalim ndryshe nga linja zyrtare e partisë në Parlament, duke marrë edhe vlerësimet e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Ai tha se nuk do të jetë nga ata deputetë që do t’i bjerë tavolinës, si kolegët e tij të opozitës dhe kërkoi nga Balla e Peleshi që një pjesë e grupit të mos etiketohet negativisht.
Deklarata në Kuvend:
Arjan Ndoja: Mua nuk më keni parë t’i bie tavolinave, nuk keni për të më parë ndonjëherë t’i bie tavolinave sepse nuk e kam atë edukatë, nuk e kam atë formim. Ju bëj thirrje, edhe ju zoti Balla, mos e etiketoni të gjithë grupin parlamentar se nuk është e sjellshme. Një pjesë e grupit të PD-së, që është pjesa më e madhe, duan që të zhvillohet seanca parlamentare dhe duan të flasin. Nuk kam asgjë personale, nuk ia zë askujt emrin me gojë se nuk kam qejf që të ma zërë askush emrin me gojë. Nuk e meriton grupi parlamentar i PD-së, aq më tepër që një pjesë prej nesh, 6 prej nesh nuk janë as produkt i listave të mbyllura që të vijnë me kokën ulur këtu dhe të bëjnë veprime me regji.
Niko Peleshi: E vlerësoj shumë fjalën tuaj. Besoj te fjala opozitare e fortë. Jo vetëm unë po kushdo qoftë këtu, nuk e ka për kënaqësi të ndërpresë fjalën e deputetit.