Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, në lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Berisha, duke komentuar rastin e zjarrit pranë një pallati në zonën e QSUT-së, u shpreh se leja e ndërtimit nuk është dhënë nga Xhafaj, por nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Pas këtyre deklaratave, Salianji reagoi në rrjetet sociale, duke theksuar se qëndrimi i Berishës tregon, sipas tij, lidhjen e vërtetë politike që ai ka me ish-ministrin Xhafaj dhe mënyrën se si po trajtohen përgjegjësitë për çështjen në fjalë.

REAGIMI
Mbrojtja që Sali Berisha i bëri sot Fatmir Xhafajt nxori në dritë atë që shumëkush e dyshonte prej kohësh: lidhjet e tyre janë të vërteta dhe të thella.
Përgjegjësit kryesorë për korrupsionin dhe pallatet pa standard janë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Por të shmangësh rolin e Xhafajt nuk është thjesht devijim dhe tymnajë, por është mbrojtje e qëllimshme.
Faktet janë aty:
– firma e Xhafajt si ministër i Brendshëm për dakordësinë e projekteve tek pallatet e Lilos, tek ish-policia bashkiake
– pallatet e Lilos në gjysmën e Tiranës
– dhe mbi të gjitha: dhëndri i Xhafajt që jepte lejet e ndërtimit si drejtor në bashki!
Sot, pavarësisht se në shkelje të ligjit ai përfituar nga “Lubia” licenca për park energjetik, PD hesht, ashtu siç hesht për mosnisjen e hetimit pasuror ndaj Xhafajt në zbatim të ligjit antimafia apo siç i bashkohet në nismat për kontrollin punëtor-fshatar nëpër gjykata! Ashtu sic heshten dhe rrudhën buzët kur denoncoja katet pa leje para pallateve!
Kjo nuk është rastësi.
Kjo është skemë.
Disa përpiqen ta justifikojnë: “e mbron Xhafajn se kanë qenë bashkë në Partinë e Punës.”
Jo miq, kjo është shumë më e thellë.
Mbrojtja vjen nga bashkëpunimi me të njëjtët biznesmenë që ushqejnë dy autokratët:
– Ramën në qeveri
– Berishën në opozitë
Prandaj nuk kërkohet hetim pasuror për Xhafajn sipas ligjit antimafia.
Prandaj heshtet për licencat me panele diellore dhe përfitimet direkte.
Prandaj sulmohet kushdo që prek këtë rrjet e mesa duket prandaj Berisha shpif sikur une kam dashur te vras Xhafaj!
E vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur:
Sali Berisha nuk është alternativë për ndryshim pushteti, por fytyra tjetër e të njëjtës medalje!
Është mekanizëm mbajtjeje në pushtet për Edi Ramën.
Dhe për këtë arsye, beteja është e dyfishtë:
👉 të rrëzojmë autokratin në qeveri
👉 të largojmë uzurpatorin në opozitë
Pa pastruar opozitën, nuk mund të fitohet Shqipëria.
Partia Demokratike ka nevojë për ndryshim, Shqipëria ka nevojë për ndryshim! Boll më!