Në një intervistë për radion britanike “Times Radio”, kryeministri Edi Rama ka folur për përfshirjen e inteligjencës artificiale në qeverisje, duke veçuar rolin e Diellës, asistentes virtuale që ai ka prezantuar si pjesë të reformave të reja.
Rama vlerësoi aftësitë e saj unike dhe theksoi se përdorimi i AI-së nuk ka interesa personale, duke shmangur ndikimet familjare apo privilegjet individuale.
“Së pari, ju s’e dini nëse jam unë apo një version AI i imi, por sa kohë flet nga kanali i kryeministrit, është përgjegjësia ime. Ne vendosëm ta ndërmarrim këtë hap të madh për të përshpejtuar reformat dhe modernizimin. Teknologjia e re dhe inteligjenca artificiale janë një bekim për vende si yni, për të fituar kohën e humbur në dekada.
Diella, që në shqip do të thotë ‘diell’, është praktikisht një diell që nuk perëndon kurrë. Ajo nuk fle, nuk lodhet dhe nuk ka interesa personale. Ajo nuk ka kushërinj – që janë një problem i madh në vendin tonë – nuk ndryshon mendje dhe nuk i intereson nëse pushohet nga puna,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se përmes Diellës, Shqipëria synon të shfrytëzojë inteligjencën artificiale për të përshpejtuar reformat dhe për të sjellë një standard të ri transparence në administratë.