Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u takua me Khaby Lame, influencerin me mbi 200 milionë ndjekës në rrjetet sociale dhe tashmë Ambasador Social i UN Tourism.

Gjatë takimit, ministri Gonxhja e ftoi Khaby-n që të vizitojë së shpejti Shqipërinë, për të zbuluar nga afër bukuritë natyrore, mikpritjen dhe trashëgiminë kulturore shqiptare, dhe për t’i ndarë ato me audiencën e tij globale.

“Një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar Shqipërinë në sytë e botës përmes një prej zërave më ndikues në rrjetet sociale”, theksoi Gonxhja.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndodhet në Riad, kryeqytetin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku po merr pjesë në Asamblenë e 26-të të Përgjithshme të UN Tourism, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga rreth 150 vende të botës.

Ky takim ndërkombëtar i nivelit të lartë fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, bashkëpunimin kulturor dhe sfidat e reja që po përballet sektori global i udhëtimeve.