Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë, teknologjinë më të re në shërbim të bujqësisë shqiptare, një dron bujqësor që vihet për herë të parë në përdorim në vendin tonë.

Gjatë aktivitetit, Ministri Salla theksoi rëndësinë e këtij investimi për modernizimin e sektorit bujqësor dhe mbështetjen konkrete për fermerët.

Kjo është teknologjia e re e fundit dhe më vjen shumë mirë që është për herë të parë tek ne, pasi deri më sot nuk kemi pasur asnjë të tillë në Shqipëri. Ky dron do t’i vijë shumë në ndihmë Ministrisë së Bujqësisë dhe të gjitha produkteve që kërkojnë procese spërkatjeje dhe monitorimi,” u shpreh ministri.

Sipas tij, përdorimi i dronit do të mbulojë një sërë procesesh të rëndësishme në bujqësi, duke rritur efikasitetin dhe duke ulur kostot për fermerët.

“Shpresoj që të avancojmë më tej dhe ta shtojmë flotën e dronëve, në mënyrë që kjo teknologji të shtrihet edhe më gjerë në shërbim të fermerëve,”– shtoi Ministri Salla.