Vijon seanca për 21 protestuesit në Gjykatën e Tiranës. Pas dy ndërprerjeve, ku avokatët mbrojtës kërkuan të njihen me dosjet, seanca është ende në zhvillim e sipër.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, raporton se prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për 3 nga 21 të ndaluarit. Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të gjithë të arrestuarit. Megjithatë, pas paraqitjes së provave shtesë gjatë ditës së sotme, organi i akuzës ka ndryshuar qëndrimin për tre prej tyre, duke kërkuar caktimin e masës “arrest me burg”. Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për tre personat që shkatërruan automjetin e policisë, i ndodhur pranë parlamentit në protestat e së enjtes.
Jashtë ambienteve të gjykatës janë mbledhur protestues, të cilët, ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, kanë zhvilluar një protestë duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.
