Seanca plenare e sotme në Kuvend është shoqëruar me tensione mes shumicës dhe opozitës. Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, u ndërpre nga deputeti demokrat Gazment Bardhi, duke shkaktuar një përplasje verbale në sallë.

“Jemi në parlament, jo në cirk,” iu drejtua Peleshi Bardhit, duke kërkuar më shumë seriozitet në debatet parlamentare.

Në fjalën e tij, Peleshi vlerësoi fushatën elektorale si të suksesshme për të gjithë, dhe theksoi nevojën për angazhim të plotë në javët e ardhshme.

“Kemi plot arsye të kërkojmë edhe diskutime jashtë rendit të ditës, se kemi shumë falënderime për shqiptarët, por nuk është ky momenti,” u shpreh ai. “Do të kemi disa seanca intensive deri në fund të korrikut. Të nderuar kolegë deputetë të PS, por edhe të grupeve të tjera, të punojmë me intensitet që rreth 30 akte të depozituara t’i miratojmë në këto seanca.”