Reforma Territoriale rikthehet sot në qendër të debatit politik, ndërsa Kuvendi mblidhet në një seancë që pritet të shoqërohet me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.

Deputetët do të mblidhen në orën 10:00, ndërsa axhenda parlamentare përmban 18 pika, nga reforma e re administrativo-territoriale te katër interpelanca me ministra dhe kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për kompaninë shtetërore “KAYO”.

Vëmendja kryesore pritet të përqendrohet te projektligji për ndarjen e re territoriale të vendit.

Nisma parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke shkrirë 15 prej njësive aktuale të qeverisjes vendore. Për miratimin e saj nevojiten 84 vota në Kuvend.

Debati për hartën e re administrative është zhvendosur edhe jashtë sallës së Parlamentit.

Partia Demokratike ka thirrur një protestë kombëtare kundër projektligjit, ndërsa opozita ka paralajmëruar kundërshtimin e reformës edhe brenda sallës së Kuvendit.

Paralelisht, përpara Parlamentit vijon edhe protesta që nisi për projektin e Zvërnecit dhe që gjatë muajve të fundit ka marrë një karakter më të gjerë politik.

Përpara se deputetët të kalojnë te Reforma Territoriale, seanca do të hapet me miratimin e procesverbalit të 5 tetorit dhe njoftimet parlamentare.

Më pas do të zhvillohen katër interpelanca.

E para është një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, do të dalë dy herë përpara deputetëve. Interpelancat me të janë kërkuar veçmas nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi.

Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Pas interpelancave dhe diskutimit për ndarjen territoriale, Kuvendi do të kalojë në një paketë të gjerë projektligjesh.

Mes tyre është ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe marrëveshja Shqipëri–Maqedoni e Veriut për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare dhe zhvillimin e kontrolleve të përbashkëta.

Në axhendë janë gjithashtu ndryshime që prekin sektorin bankar dhe sistemin e pagesave.

Deputetët do të shqyrtojnë ndërhyrje në legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa pjesë e seancës do të jenë edhe projektligjet që lidhen me treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.

Ndryshime parashikohen gjithashtu në legjislacionin për markat tregtare, patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.

Një tjetër çështje që pritet të prodhojë debat është kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për shoqërinë shtetërore “KAYO” sh.a.

Komisioni i propozuar synon të kontrollojë ligjshmërinë e veprimtarisë së kompanisë në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit dhe aktivitetin në fushën e prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

Në pjesën përmbyllëse të seancës është parashikuar edhe shqyrtimi i ndryshimeve në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.

Axhenda do të mbyllet me diskutimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës.

Megjithatë, pika që pritet të dominojë seancën e sotme mbetet harta e re territoriale, me debatin parlamentar që zhvillohet paralelisht me protestat e paralajmëruara jashtë Kuvendit.